Moderatori
Fehmi Ferati ka lindur më 25 maj 1974 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet e larta për drejtësi i regjistroi në vitin 1994 në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu në vitin 2006 filloi edhe Fakultetin e Shkencave Politike në UP. Karrierën artistike e filloi në vitin 1994 me themelimin e Teatrit Eksperimental në Mitrovicë. Në vitin 1995 themeloi dhe drejtoi gazetën e njohur regjionale “Post Scriptum”. Gjatë viteve 2002-2005 Fehmiu së bashku me kolegun e tij Blerim Pecin lansuan Komedi-Shoun “Show Mesalation” së pari në KTV për të vazhduar më pastaj në RTK. Ka realizuar mbi 100 emisione të këtij formati. Fehmiu, me “Show Mesalation” ka prodhuar edhe një numër të konsiderueshëm të video-kasetave dhe DVD-ve. Që nga viti 2007 është konsulent për disa biznese të sukseshme në Kosovë. Ai drejton fushata të plasimit të produkteve të reja në tregun e Kosovës. Gjithashtu, ai është i punësuar në korporatën PTK si trajnues për stafin e PTK-së dhe VALË-s (Telefonisë mobile).Në shtator të 2009-ës producenti i njohur i “2Waytraffic”, Philip Livingstone erdhi në studion e Milionerit për të bërë përzgjedhjen e prezantuesit të ri të kuizit “Kush do të bëhet Milioner”. Pas disa provave me Fehmi Feratin, ai vërejti aftësitë dhe talentin që ka ky për të udhëhequr këtë format dhe pa ndonjë hezitim vendosi që tani e tutje ‘Milionerin’ ta prezentojë Fehmi Ferati.
I urojmë fat.


